Kina po i mbyll, shkatërron dhe ripërdor xhamitë, thuhet në një raport të ri nga Human Rights Watch. Sipas saj, kjo është në kuadër të përpjekjeve sistematike të Kinës për të ndaluar praktimin e Islamit.
Në Kinë janë rreth 20 milionë myslimanë. Kina është zyrtarisht shtet ateist, porse lejon lirinë fetare. Megjithatë vëzhguesit thonë se ka tendenca në rritje për të goditur këtë religjion gjatë viteve të fundit – Pekini po kërkon kontroll më të madh.
“Mbyllja, shkatërrimi dhe ripërdorimi i xhamive nga qeveria kineze është përpjekje e vazhdueshme për të ndaluar praktimin e Islamit në Kinë”, deklaroi Maya Wang, ushtruese detyre e drejtoreshës së Human Rights Watch.
Raporti sjell edhe dëshmi të abuzimit sistematik të të drejtave të njeriut kundër komunitetit mysliman Ujguri që jeton në veriperëndim të rajonit Xinjiang në Kinë. Pekini i mohon akuzat e abuzimit.
Shumica e myslimanëve të Kinës jetojnë në veriperëndim të vendit, sikurse në Xinjiang, Qinghai, Gansu dhe Ningxia./UBTNews/