UBT News

Hulumtimi: TikTok ndan të dhënat tuaja më shumë se çdo aplikacion tjetër nga mediat sociale

Sipas një hulumtimi të fundit, të publikuar muajin e kaluar nga kompania e marketingut celular URL Genius, YouTube dhe TikTok gjurmojnë të dhënat personale të përdoruesve më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale.

Hulumtimi zbuloi se YouTube, e cila është në pronësi të Google, kryesisht mbledh të dhënat tuaja personale për qëllimet e veta – si përshembull gjurmimin e historisë suaj të kërkimit në internet, apo edhe vendndodhjen suaj, për t’ju shërbyer reklama përkatëse.

Por TikTok – i cili është në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance – sipas hulumtimit, kryesisht lejon gjurmuesit e palëve të treta të mbledhin të dhënat tuaja dhe prej andej, është e vështirë të thuhet se çfarë ndodh me to.

Me gjurmimin e palëve të treta, është në thelb e pamundur të dihet se kush po gjurmon të dhënat tuaja ose çfarë informacioni ata po mbledhin, duke nisur nga cilat postime ju ndërveproni – dhe sa kohë shpenzoni për secilin – deri tek vendndodhja juaj fizike dhe çdo informacion tjetër personal që ndani me aplikacionin.

Siç vuri në dukje studimi, gjurmuesit e palëve të treta mund të gjurmojnë aktivitetin tuaj në sajte të tjera edhe pasi të dilni nga aplikacioni, përcjell UBT News.

Për të bërë studimin, URL Genius përdori funksionin Record App Activity nga iOS i Apple për të numëruar se sa domene të ndryshme ndjekin aktivitetin e një përdoruesi në 10 aplikacione të ndryshme të mediave sociale – YouTube, TikTok, Twitter, Telegram, LinkedIn, Instagram, Facebook, Snapchat, Messenger dhe Whatsapp – gjatë një vizite, para se ju madje të hyni në llogarinë tuaj.

YouTube dhe TikTok kryesuan aplikacionet e tjera me 14 kontakte rrjeti secili, shifër dukshëm më e lartë se numri mesatar i studimit prej gjashtë kontaktesh rrjeti për aplikacion.

“Konsumatorët aktualisht nuk janë në gjendje të shohin se çfarë të dhënash ndahen me rrjetet e palëve të treta, ose se si do të përdoren të dhënat e tyre”, shkruajnë autorët e raportit.

Në tetor, Wired publikoi një udhëzues se si TikTok gjurmon të dhënat e përdoruesve, duke përfshirë vendndodhjen tuaj, historikun e kërkimit, adresën IP, videot që shikoni dhe sa kohë kaloni duke i parë ato. Sipas tij, TikTok mund të “nxjerr në përfundim” karakteristikat personale nga mosha juaj deri në gjininë tuaj bazuar në informacionet e tjera që mbledh. Google dhe faqet e tjera bëjnë të njëjtën gjë, një praktikë e quajtur “inferred demographics.”

TikTok ka qenë subjekt i kritikave në të kaluarën për mënyrën se si kompania mbledh dhe përdor të dhëna, veçanërisht nga përdoruesit më të rinj, duke përfshirë pretendimet se kompania ka transferuar disa të dhëna private të përdoruesve në serverët kinezë.

Siç vuri në dukje CNBC vitin e kaluar, politikat e privatësisë së TikTok thotë se aplikacioni mund të ndajë të dhënat e përdoruesit me kompaninë e tij mëmë kineze, megjithëse pretendon se përdor masa sigurie për të “mbrojtur të dhënat e ndjeshme të përdoruesit”.

Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan Donald Trump u përpoq të ndalonte TikTok-un në SHBA për shkak të shqetësimeve në lidhje me politikat e sigurisë së të dhënave të aplikacionit, po presidenti aktual Joe Biden u tërhoq nga kjo dhe urdhëroi një rishikim të kërcënimeve të mundshme të sigurisë të paraqitura nga aplikacionet në pronësi të huaj./UBTNews/

Exit mobile version