Aktori i njohur Hugh Jackman ka vendosur të flasë hapur për betejën shëndetësore që po zhvillon prej vitesh.
I ftuar në emisionin “Howard Stern Show”, ai u bëri thirrje njerëzve të tregojnë më shumë kujdes ndaj ekspozimit në diell dhe të mos neglizhojnë mbrojtjen e lëkurës.
Jackman zbuloi se ka luftuar gjashtë herë me kancerin e lëkurës, duke e lidhur këtë përvojë me rritjen e tij në Australi, një vend me ekspozim të lartë ndaj diellit. Sipas tij, në çdo rast ka qenë një formë më pak agresive e sëmundjes, por rreziku mbetet real.
“Kam pasur gjashtë lloje kanceri të lëkurës. Janë tri lloje kryesore, por melanoma është më e rrezikshmja. Karcinoma me qeliza skuamoze nuk është aspak e mirë, ndërsa unë kam pasur kancer të qelizave bazale”, tha aktori.
Edhe pse kanceri i qelizave bazale konsiderohet më pak i rrezikshëm, nuk duhet nënvlerësuar, pasi përhapet nëse nuk trajtohet në kohë.
“Askush nuk ka vdekur ndonjëherë nga kjo formë, por është ende kancer dhe vazhdon të rritet. Nëse nuk e largoni, mund të përhapet në kocka dhe atëherë situata bëhet shumë më serioze”, theksoi Jackman.
Aktori paralajmëroi se djegiet nga dielli nuk janë të padëmshme, duke shtuar se edhe një djegie e vetme ka pasoja afatgjata për shëndetin.
“Edhe pas rastit tim të parë me kancer të lëkurës, doja të nxihesha kur shkova në Australi. Nuk e di çfarë po mendoja atëherë”, rrëfeu ai.
Sot, Hugh tregon se është më i kujdesshëm dhe se i nënshtrohet kontrolleve mjekësore të rregullta, çdo tre muaj. /A.Z/UBT News/
