Forcat izraelite dhe grupet militante palestineze kanë kryer sulme gjatë konfliktit të majit në Gaza, të cilat, me sa duket, përbëjnë krime të luftës, tha Human Rights Watch.
Organizata për të drejtat e njeriut tha se ka hetuar tre sulme të Izraelit, që kanë vrarë 62 civilë, dhe se nuk ka gjetur dëshmi se ato kanë pasur në shënjestër caqe ushtarake.
Ushtria izraelite ka thënë se ka sulmuar vetëm caqe ushtarake në Gaza.
Human Rights Watch tha po ashtu se 4,300 raketa që militantët kanë lëshuar në drejtim të Izraelit, kanë përbërë sulme pa dallim kundër civilëve.
Së paku 260 njerëz janë vrarë në Gaza dhe 13 janë vrarë në Izrael gjatë 11 ditëve luftime në muajin maj.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se së paku 129 nga të vrarët në Gaza kanë qenë civilë. Ushtria izraelite ka thënë se 200 të vrarë kanë qenë militantë, ndërsa grupi militant Hamas, i cili kontrollon Gazën, ka pranuar vdekjen e 80 luftëtarëve të tij.
Ushtria izraelite dhe Hamasi kanë zhvilluar katër luftëra të mëdha.
Mosmarrëveshjet e tyre kanë të bëjnë me kontrollin e territoreve.RFE