Sipas Human Rights Watch, krimet ruse të luftës dhe abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Ukrainë përbëjnë “një mori shkeljesh të ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Në raportin vjetor të grupit të të drejtave që shqyrton standardet e të drejtave të njeriut në gati 100 vende, u tha se dëshmitë e krimeve të luftës në Bucha, një periferi e Kievit, janë pjesë e një modeli që “është përsëritur shumë herë”.
Në raportin botëror të HRW-së përmendet bombardimi i teatrit në Mariupol, pavarësisht nga shenjat që paralajmëronin se kishte fëmijë të strehuar atje, si dhe sulmet ndaj objektivave të tjera jo ushtarake.
“Shkaktimi i vuajtjeve ndaj civilëve, të tilla si sulmet e përsëritura në infrastrukturën energjetike nga e cila ukrainasit varen për energji elektrike, ujë dhe ngrohje, duket të jetë një pjesë qendrore e strategjisë së Kremlinit”, thuhet në raport.
Dhe ndërsa autorët vlerësojnë reagimin e vendeve evropiane në pritjen e refugjatëve ukrainas, ata bënë thirrje nga qeveritë që të reflektojnë se “ku do të ishte situata nëse komuniteti ndërkombëtar do të kishte bërë përpjekje të përbashkët për të kërkuar llogari nga Putini shumë më herët – në vitin 2014, kur nisi lufta në Ukrainën lindore; në vitin 2015, për abuzime në Siri; ose për goditjen ndaj të drejtave të njeriut brenda Rusisë gjatë dekadës së fundit”.
HRW përmendi edhe konfliktin e armatosur në rajonin Tigray në Etiopinë veriore, ku thuhet se nuk po merr aq shumë vëmendje sa Ukraina./UBTNews/