Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se, presidenti rus Vladimir Putin ka bërë përpjekje për ta përdorur Kosovën si antitezë në raport me vendet e Perëndimit.
Hoxhaj duke folur në dokumentarin “VIRUSSIA” që bëhet fjalë për propagandën dhe dezinformatat ruse shpjegon se, Federata e Rusisë ka prodhuar një narracion të rrejshëm për Kosovën.
“Vladimir Putin ka bërë përpjekje që ta përdor Kosovën si antitezë në raport me Perëndimin, me qëllim që ta ndjekë një politikë të ndërhyrjes në shtete sovrane, të shkeljes së integritetit të tyre territorial, të copëtimit të territoreve dhe bashkimit të këtyre territoreve me Rusinë. Dhe këtë e ka bërë prej verës të 2008-së, ku ka filluar fillimisht lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë për Abhazinë dhe Osetinë Jugore, e deri te Transnistria dhe së fundi aneksimi i Krimesë, i cili ka qenë totalisht i jashtëligjshëm dhe i cili nuk ka asnjë bazë”, thotë Hoxhaj.
Ai shton se Rusia vazhdimisht prodhon trillime dhe gënjeshtra në raport me vendin tonë.
“Nuk ka vend i cili ka prodhuar një narracion të rrejshëm për Kosovën, trillime të ndryshme, gënjeshtra të ndryshme në raport me Kosovën sikurse ka prodhuar Rusia”, shton ai.
Sipas ish-kryeministrit të Serbisë, Vuk Drashkoviq, “interesi nacional dhe shtetëror i Rusisë është prezenca e fuqishme në Ballkan”.
“Këtu në Serbi, në tabloide me ndikim shumë të madh rus, bëhet propagandë e tmerrshme kundër Evropës dhe Perëndimit”, pohon Drashkoviq.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Studimeve Euro-Atlantike, Jelena Miliq tregon se brenda një viti në Serbi janë themeluar mbi 100 organizata që janë pro-Kremlinit.
“Mbi 100 organizata të ndryshme pro-Kremlinit janë formuar vetëm brenda një viti dhe në këtë periudhë, ne kemi pasur siç e quaj unë, ‘një botë të kultivuar artificiale, mediash, asociacionesh te ndryshme, asociacione bashkatdhetarësh, gjoja OJQ’”, tregon Miliq.
Ndërsa për gazetarin hulumtues, Avdo Avdiq rusët po i shfrytëzojnë institucionet e Bosnjës e Hercegovinës.
“Rusët i shfrytëzojnë edhe institucionet e Bosnjës e Hercegovinës, e edhe kriminelët që të bëjnë presion në njerëzit që nuk mendojnë si ata”, përfundon Avdiq. RTK