Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti për politikën e jashtme.
Ai në seancën e sotme në Kuvend u shpreh pesimist për njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe liberalizim të vizave.
“S’ka njohje dhe nuk pres që të ketë njohje, s’ka anëtarësime dhe s’ka me pas anëtarësime, po ashtu s’ka marrëveshje të reja me Bashkimin Evropian dhe s’ka me pas as liberalizim të vizave. Por unë dua t’i ngriti tri çështje të rëndësishme. E para, është mirë që kryeministri Kurti po rreshtohet karshi Ukrainës dhe po mendon globalisht, por nuk po vepron asgjë lokalisht. Predikimet morale pa veprime praktike nuk janë asgjë në politikë të jashtme. Konkretisht, ende nuk keni aplikuar për NATO, e di që nuk bëhet kjo punë sivjet, por nuk e keni dorëzuar aplikimin për partneritet për paqe që ish kryer këtë vit, tash me çu brenda këtij viti përmbyllet anëtarësimi, por deri tani nuk ka asgjë”, tha ai.
Duke kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Hoxhaj tha se ajo po merret me përjashtime në vend që të lobojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
“Zonja Gërvalla në vend që të merret me anëtarësime merret me përjashtime, bota e përndjek Rusinë, zonja Gërvalla i përndjek njerëzit brenda shërbimit tonë diplomatik. Në ditën kur Rusia përjashtohet prej Këshillit për të drejtat të njeriut në OKB, atë ditë e shkarkojnë ambasadorin tonë në OKB”, shtoi ai.
Ndërkohë theksoi se dialogu Kosovë-Serbi për anëtarësim të Kosovës në OKB ka vdekur.
“Dialogu politik për anëtarësim në OKB ka vdekur, për tabela zotëri Bislimi mund të vazhdoni dialogun. Për ulëse në OKB, karrige në OKB nuk do të ketë asgjë”, theksoi ai.
Hoxhaj sugjeroi Kurtin të marrë sqarimet e duhura nga ambasadori zviceran në Kosovë për çështjen e ish-senatorit Dick Marty.