UBT News

Hoxhaj: Serbia ende mban fshehur fatin e të zhdukurve të Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, deklaroi se Serbia jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e kryera, por ende mban fshehur fatin e të zhdukurve të Kosovës.

Hoxhaj në Facebook shkroi se ky është fakt i hidhur që u rikthye në vëmendje këto ditë prej gjetjes së mbetjeve mortore në Kizhevak, afër Rashkës.

“Për më tepër, që Serbia jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e kryera por ende mban fshehur fatin e të zhdukurve të Kosovës, fakt i hidhur ky që u rikthye në vëmendje këto ditë prej gjetjes së mbetjeve mortore në Kizhevak, afër Rashkës. Akuzat që janë gatuar nga kundërshtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia, nuk duhet të na gjej të përçarë e të papërgatitur. Prandaj instrumentalizimi politik i procesve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, për politikë ditore partiake, pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e diku tjetër, nuk i shërben aspak Kosovës, përkundrazi, e dëmton rëndë atë. Nuk i ndihmon as shokët tonë në Hagë”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.

Hoxhaj ka bërë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në trojet e tjera shqiptare.

“Historia e ka dëshmuar që shqiptarët ia kanë dalë t’i tejkalojnë sfidat e sulmet vetëm kur kanë qenë të bashkuar”, përfundoi ai./UBTNews

Exit mobile version