Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot se nuk do të marrin pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente.
Këto komente Hoxhaj i bëri në një konferencë për media pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin e parë Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin.
Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë për të mos e votuar Osmanin për presidente, teksa adresoi kritika ndaj saj duke thënë se ka pasur rol përçarës.
“Nuk votojmë për të, nuk qëndrojmë në sallë. A qëndron në sallë apo jo nuk ka kurrfarë vlere, por se a merr apo jo pjesë në votim. Nuk e mbështesim kandidaturën e saj. Ajo më së paku përfaqëson vullnetin e elektoratit të PDK-së, por nuk e reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Republikës të Kosovës. Më shumë ishte figurë polarizuese, përçarëse në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik”, tha ai.