Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PDK nuk e përkrah Vjosa Osmanin për presidente të vendit.
Hoxhaj në konferencë për media tha se Osmani nuk është figurë unifikuese, por përçarëse dhe se është e ndikueshme politikisht.
“PDK nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit. Ka qenë një figurë përçarëse, karrierën e saj e ka ngritur në frymën e përçarjes. Së dyti, ajo është një kandidate partiake, jo konsensuale për të qenë presidente. Ajo është treguar e njëanshme sa ka bërë detyrën e ushtrueses së presidentes, është e para që e ka përdorur zyrën për të bërë një parti politike”, tha ai.
Ai tha se presidenti i vendit duhet të jetë i pavarur politikisht.
“Osmani nuk udhëhiqet nga parimet, më shumë udhëhiqet nga kalkulimet dhe shembulli është se si është sjellë me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi”, tha ai.
Hoxhaj tha se zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente do ta koncentronte tërë pushtetin në duart e një partie dhe nga një njeri.