Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se PDK-ja është e gatshme të ulet me çdo parti politike për ta zgjedhur një president dinjitoz, por nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën.
Hoxhaj në një shkrim në Facebook u shpreh se Republika është mbi interesat politike dhe egot personale.
“Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së! Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj”, shkroi ai në Facebook./UBTNews