UBT News

Hoxhaj: PDK-ja së shpejti do të dalë me kandidatin për kryeministër

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të dërguar vendin në zgjedhje ka qenë i pritur, për shkak të krizës.

Ai në një konferencë për media ka thënë se kjo parti shumë shpejtë do ta ketë kandidatin e saj për kryeministër.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ngjarje e shpejtë dhe ne nuk e kemi folur një temë të tillë në PDK. Por ne shumë shpejtë do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës. Në këtë kohe kemi pasur unitet të brendshëm. Qytetarët për 14 muaj përjetuan zhgënjim, mashtrim e shpresë të vjedhura. Ajo qe ka ndodhur këta muaj është degradimi me i madh qe ka pasur vendi për 20 vjet dhe janë dy qeverite më të dobëta që ka pasur Kosova”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje dhe ka programin më të mirë për qeverisje.

“Si PDK jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se ne e ofrojmë programin e duhur për qeverisje. VV dhe LDK-ja kanë dështuar që ta menaxhojnë pandeminë, numri i vdekjeve është më i larti në rajon, vendi ka qenë më i izoluar se kurrë. Një Qeveri Hoti u dorëzua para Serbisë dhe hoqi dorë nga zgjerimi i sovranitetit të Kosovës. Të dy Qeveritë i kanë cenuar raportet tona me shtetet mike dhe i kanë përçarë raportet me Shqipërinë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj në konferencë ka thënë se janë vetëm dy lajme të mira që i kanë ndodhur vendit në 14 muaj.

“E para, kalimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike me vendosmërinë e PDK-së dhe vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, vendim që ndali degradimin politik. Koalicioni aktual nuk ka pasë numra në kuvend për të kaluar asnjë ligj. Vendi ka qenë i bllokuar një kohë të gjatë”, shtoi ai.

Ai ka thënë se ky subjekt politik është i gatshëm për zgjedhja dhe që përsëri ta marrë drejtimin e institucioneve.

Exit mobile version