Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin ka thënë se sjellja e tyre karshi konstituimit të institucioneve varet nga dhjetë qëndrimet që ia kanë paraqitur atyre në tavolinë.
Ani pse tha se ky takim ishte i mirë dhe konstruktiv, Hoxhaj tha se Kurti fillimisht duhet të përgjigjet për dhunën politike e një sërë temash tjera. Po megjithatë tha se vendimin final për zgjedhjen e presidentit do ta marrin në organet e partisë.
“Së pari, sa herë ka pas zgjedhje të qeverisë apo presidentit, ju e dini që institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është ushtruar dhunë ndaj tyre, në seancë duke hedh gaz dhe së fundmi kur e kemi zgjedhur presidentin, është godit vet godina. Ne e kemi pyetur Kurtin a distancohet nga kjo dhunë politike. Së dyti meqë dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve është sfidë kryesore e qeverisë së ardhshme, Kurti dhe VV-ja kanë thënë se pa kërkuar falje Serbia për krimet që ka shkaktuar dhe pa i gjetur të gjithë të pagjeturit nuk do të ulen në tavolinë me Serbinë. Së treti kanë pas qëndrim se do ta anulojnë Asocacionin e komunave serbe. Së katërti e kam ngritur si çështje demarkimin e kufijve me Malin e Zi, a do ta kthejë kufirin në Zhleb dhe Çakorr, një temë që është përdor për politikat e brendshme dhe ka qenë e jashtme. A e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit në tërësi dhe në këtë drejtim cili është qëndrimi i tyre për mini-shengenin, që e kemi kundërshtuar ne dhe vet Kurti. Gjatë qeverisë Hoti është suspenduar politika e jashtme përmes moratoriumi duke hequr dorë nga anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, cili është qëndrimi i tyre. A do të vendosë qeveria e ardhshme reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kemi ngritur një listë të temave, sesi e shohim raportin tonë si opozitë në raport me institucionet që do të krijohen”, deklaroi Hoxhaj.
Gjatë ditës, Osmani dhe Kurti do të takohen edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.