UBT News

Hoxhaj: Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, pas seancës së sotme statusore, thekson se në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës.

Hoxhaj në Facebook shkroi se në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, në Hagë po gjykohen ushtarët e UÇK-së.

“Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës, të rinegociohet liria e jonë dhe të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së.Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, viktimave të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë së ndërmarrjes së përbashkët çlirimtare!Në ditën kur katër metra nën tokë po shfaqen përmasat e gjenocidit serb, në Hagë po gjykohen luftëtarët e lirisë!”, shkroi mes tjerash Hoxhaj në Facebook.

Më tej ai theksoi se lufta e popullit të Kosovës për liri nuk mund të ndryshohet, nuk mund të gjykohet e as të dënohet.

“Lufta e popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet, sepse mban vulën e NATO-s, Tony Blairit, Bill Clintonit dhe botës perëndimore e demokratike. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre janë përfaqësues të kësaj lufte, të kësaj lirie dhe kësaj pavarësie, që janë të shenjta dhe nuk mund të ndërrohen nga askush”, përfundoi Hoxhaj./UBTNews

Exit mobile version