Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur për Kosovën, duke thënë se politika e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që fuqitë botërore si SHBA, Britania dhe Franca të pajtohen me kundërshtarët e tyre Rusinë dhe Kinën, që të thirret mbledhja për Kosovën e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia.
Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo tregon se sa keq qëndron Republika e Kosovës ndërkombëtarisht, si një vend pa drejtim dhe pa orientim.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.