Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha sot në Kuvend se marrëveshja në Ohër me Serbinë është humbja më e madhe e Kosovës.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për marrëveshjen pa nënshkrim me Serbinë, Hoxhaj tha se ujdia nuk ka as themel juridik ndërkombëtar.
“Historikisht zotëri Kurti ka bërë përpjekje të bëjë politikë të madhe sa ka qenë në opozitë. Mirëpo të nderuar deputetë, marrëveshja në Ohër është humbja më e madhe që ka Kosova prej Ramubjes, deri në ditët e sotme. Nëse nuk i besoni kësaj sot, do t’i besoni vitin e ardhshëm”, tha ai.
Sipas tij, kjo marrëveshje e prish edhe themelin e shtetit të Kosovës.
“Marrëveshja nuk ka kurrfarë themeli juridik ndërkombëtar, veçse e prish përfundimisht themelin e shtetit të Kosovës”, përfundoi ai.
Kosova dhe Serbia u dakorduan pa nënshkrim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë së 27 shkurtit në Bruksel, e cila rrjedh nga plani i BE-së për dialogun.