Lideri aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj, deklaroi sot në Kuvend se çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.
“Në një rrafsh real e jo dogmatik. Në një rrafsh të bashkëpunimit e jo të izolimit”.
“Nëse për asgjë tjetër, do ta bënte për të na njoftuar se çka ka ndërmarrë deri me sot për të siguruar vaksinat, si dhe për të na njoftuar për planin e saj emergjent për vaksinimin e popullsisë”.
“Do të ishte e udhës që në rast nevoje, edhe të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim, me aq sa kemi potencial e mundësi për ta ndihmuar”.
Por, sipas Hoxhaj, u desh opozita ta ftojmë në këtë debat qeverinë.
“Sepse pas një muaji qeverisje, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, jo vetëm që kanë dështuar ti sigurojnë vaksinat, por kanë qenë edhe të papërgjegjshëm e të pa ndërgjegjshëm, përballë pasojave që pandemia po lë tek qytetarët”.
“Dhe nuk po flasim më për pasoja dytësore. Po flasim për humbjen e jetës së qytetarëve tanë”.
“Prandaj, për PDK-në, nuk ka një moment të dytë por ky është momenti që t’iu kërkojmë përgjegjësi. Sepse keni aq shumë përgjegjësi për këtë situatë, por s’keni ndërmarrë as edhe një veprim konkret për ta menaxhuar atë siç duhet”.
“Ku është përgjegjësia juaj kryeministër?. Në cfarë frekuence jeni duke operuar, sepse një e tillë nuk po ju lidhë me realitetin. Xhipat e blinduar dhe xhamat e errësuar siç duket ua kanë errësuar edhe pamjen dhe s’po shihni”.
“As nuk po doni, as nuk po dini. Dhe as që po provoni të mësoni”.
“Nëse deri me sot keni dështuar të siguroni vaksina, së paku do të duhej të na thonit se kur i prisni.Sepse nëse keni dështuar të siguroni vaksinat, së paku është dashur t’i kishit përmbyllur negociatat”.
“Juve ju janë ngatërruar kabllat. Dhe sot po e shohim në praktikë atë që dikur e thoshit në studio televizive, kur thoshit se nuk jeni as me Hegelin as me Kantin por diku si në mes. Përcaktohu për njërin të lutëm, e mos na lë pa asnjërin, sepse për cilindo që përcaktohesh është më mirë sesa ky mesi yt i pa definuar e i kotë. Përcaktohu. Nuk e kuptoj dot se si ju nuk e kuptoni se me çka po përballen qytetarët e Kosovës dhe s’i po e lexoni ju këtë përballje”./UBTNEWS