Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj konsideron se marrëveshja që kryeministri Albin Kurti ka arritur me shtetet e rajonit për lëvizje vetëm me letërnjoftim, është dhurata e parë që shefi i Qeverisë ia bëri Serbisë.
Në një reagim në Facebook, Hoxhaj shkroi se makro-shengeni shqiptar është vetëm premtim elektoral i Kurtit.
“Makro-Shengen shqiptar, që do të bënte të mundur bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë me shpejtësi të re – premtonte Albin Kurti në fushatë. Sot, si kryeministër, Shqipëria është më larg se kurrë, raportet më të ftohura se asnjëherë më parë, ndërsa energjitë, vizionin dhe Qeverinë e ka vënë në funksion të krijimit të Jugosllavisë së Re duke e bërë Kosovën pjesë të Minishengenit. Gjashtë shtete – një vizë, apo Jugosllavia e Re, është dhurata dhe lëshimi i parë që Albin Kurti ia bëri Serbisë. E kam pritur dezertimin e Kurtit, por jo kaq shpejtë dhe jo kaq paturpësisht. Cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë, Albin?”, shkroi ai në Facebook./UBTNews