Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke krijuar vazhdimisht kriza me aleatët, teksa kërkoi nga ai që të sqarojë nëse ka ndryshuar vetëm protokolli i tavolinës apo nëse traktati i CEFTA-s mbetet i pandryshuar, ku UNMIK-u është ende palë.
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj tha se propaganda e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është ende duke vazhduar.
“Kryeministri Kurti vazhdimisht refuzon çështje dhe krijon kriza me aleatë, vetëm për t’i pranuar më vonë ato që i kishte refuzuar, pas presionit e sanksioneve që i bëhen, siç shihet me zbatimin e një Marrëveshjeje të Brukselit, të cilës i është kundërvënë prej vitesh. Qeveria nuk duhet të mashtrojë opinionin publik—Kosova do të përfaqësohet me asteriks dhe Kurti duhet të sqarojë nëse ka ndryshuar vetëm protokolli i tavolinës apo nëse traktati i CEFTA-s mbetet i pandryshuar, ku UNMIK-u është ende palë. Propaganda vazhdon të jetë fusha më e suksesshme e kësaj qeverie”, ka shkruar Hoxhaj në një postim në “Facebook”.