Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të politikës në raport me situatën e krijuar në veri të vendit.
Në interpelancën ndaj kryeministrit Kurit në Kuvend, Hoxhaj tha se 5 nëntori, dorëheqjet e serbëve prej institucioneve në veri është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës.
“Data 5 nëntor është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës, ku çka kemi ndërtuar nga viti 2008 është shembur me datën 5 nëntor… Pas datës 5 nëntor është një kolaps shtetëror dhe nuk është mirë që kryeministri në fjalën e tij të na tregojë sa paragrafë i ka komunikata e BE-së, por të na tregojë pse janë tërhequr 3000 zyrtarë shtetërorë, sa janë, kjo është me rëndësi për neve, jo numri i fjalëve të komunikatave të Borrell”, tha ai.
Hoxhaj tha se kryeministri Kurti nuk ka politikë se si të bëhet riintegrimi i veriut në institucionet e Kosovës.
“Nuk po shoh politikë të qeverisë në raport me situatën në veri, s’ka politikë. Masa, ç’masa, gjoba, asfalt në ndonjë rrugë, ky fshat, ai tjetri. Nuk ka politikë se sis të rinintegrohet veriu në institucionet e Kosovës. Prandaj në seancë të hapur ose mbyllur pres të dëgjoj prej kryeministrit se çka do të bëjë në veri dhe çka do të bëjë në raport me Serbinë. Cila është politika e qeverisë në raport me situatën aktuale”, shtoi ai.
Sipas tij, nëse kryeministri flet me gjuhën e njëjtë edhe në mars të vitit 2023, mund të jetë problemi Prishtinë-Mitrovicë e Veriut, të cilën e dëshiron Beogradi.