Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në debatin për arsimin në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se në 30 vitet e fundit, Kosova ka humbur tre gjenerata në arsim.
“Në 30 vitet e fundit, tre herë radhazi na është përsëritur kjo. Në fillim të viteve të 90-ta, derisa kur kaluam dhunshëm në sistem paralel, në periudhën e luftës për shak të luftës më 1998-1999, dhe tash në kohë të pandemisë, 2020-2021. Imagjinoni një qytetar që fillimisht ka humbur hapin në shkollë fillore, pastaj në të mesmen, ndërsa tash, po e humbin hapin edhe fëmijët e tij. Kjo është një rrethanë tragjike për familje dhe një popull, të cilën kjo qeveri nuk po e kupton dhe as që do ta kuptojë. Këtë më së miri e dëshmon mungesa e kryeministrit në seancë sot. Edhe atë ditë kur folëm për humbjen e jetës së qytetarëve në mungesë vaksinash, edhe sot kur po flasim për humbjen e gjeneratave në arsim, kryministri mungon”, tha Hoxhaj.
Ai ka shpjeguar se humbja e aftësive të një gjenerate sipas analizave të institucioneve ndërkombëtare nënkupton humbjen e njohurive dhe shkathtësive për arsimim, humbjen e kapitalit njerëzor dhe humbjen e perspektivës ekonomike në të ardhmen.
“Më 12 mars të vitit 2020, me vendim të qeverisë u ndërpre mësimi për 450 mijë nxënës e studentë. Ishte mbyllje pa plan. Improvizim ad-hoc. Dhe natyrisht se kur nuk ke plan, nuk ke as kontroll mbi situatën, aq më pak, kontroll mbi ecurinë, e më së paku kontroll mbi cilësinë. Në vitin e ri shkollor 2020/21 që filloi me vonesë, i vetmi organizim që ishte bërë, ishin maskat mbrojtëse, matja e temperaturës, dezinfektimi i duarve si dhe distanca fizike. Por ajo çfarë nuk ishte parashikuar, ishte dështimi në organizimin e procesit mësimor sipas tre skenarëve: Mësimit në shkollë; Mësimit të kombinuar dhe Mësimit në distancë. Na thuhej se implementimi i këtyre skenarëve do bëhej varësisht nga situata dhe kushtet specifike të institucioneve arsimore. Deri tash, kurrë nuk kemi mësuar se sa shkolla kanë funksionuar sipas skenarit A dhe B ose edhe C? Sepse secili prej këtyre skenarëve flet shumë për atë se në çfarë gjendje jemi aktualisht në arsim”, tha Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, deri tani është parë qartë se qeveria Kurti nuk ka mendim politik, as mendim strukturor, as mendim substancial për të menaxhuar arsimin në pandemi, pasi asgjë nuk thuhet përë këtë në programin e qeverisë.
Ai ka pyetur Qeverinë se pas dështimeve në menaxhimin e deritashëm të arsimit në kohë pandemie, cili është plani për të ardhmen afatmesme pasi pandemia ende nuk ka kaluar.
“Ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë dhe fillimi i mësimit në distancë, por Kosova ende nuk e ka një platformë te standardizuar për të. A do ta ketë një të tillë, si dhe kur?
Në shumë vende të botës, organizimi i procesit mësimor në kushte pandemie është unifikuar. Në Kosovë vazhdon të jetë qasje e shpërndarë në nivel vendi, ku komunat dhe shkollat, përkatësisht mësimdhënësit shfrytëzojnë platforma dhe qasje të ndryshme të mësimdhënies. A keni diskutuar me me komunat, prindërit dhe ekspertët? Cilat janë pëgaditjet për vitin e ardhshëm shkollor?
Si do të menaxhohet testi i arritshmërisë dhe maturës shtetërore në këto rrethana? Cili është plani? Të gjitha këto që i ngrita, flasin për atë që të kemi një plan të qartë dhe një politikë të re arsimore në pandemic. Me këtë ritëm të sjelles së vaksinave, do të kemi një trend afrikan të hapjes, tek në vitin 2024”, tha Hoxhaj.