Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti.
Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëhere unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirëinformuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo “çështje madhore”, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës. “, ka shkruar ai.