UBT News

Hoxhaj fton Kurtin në pesë debate publike

Kryetari në detyrë i PDK-së, dhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka prezantuar pesë shtyllat kryesore të platformës të PDK-së, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxhaj në këtë konferencë ka thënë se programi i PDK-së bazohet në shqetësimet e qytetarëve.

“Prioritet i parë do të jetë rimëkëmbje e vendit, përballja me shëndetin e njerëzve, zbatimi dhe promovimi i sundimit të ligjit, ndërtimi i një sistemi modern arsimor, politika e jashtme dhe ringritja  e Kosovës si shtete”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka ftuar që edhe Vetëvendosje të bëjë publik programin e saj, si dhe e ka ftuar në debate publike kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, për të diskutuar për programet.

“Po i referohem LVV-së sepse të gjithë e dimë se këto zgjedhje që po na presin janë realisht një garë mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kjo është dilema e madhe sot në Kosovë. Kjo është ajo për çfarë do të vendosin qytetarët. Ne duam që njerëzit ta krahasojnë ofertën e PDK-së me ofertën e LVV-së. Për këtë shkak, po i drejtohem Albin Kurtit që ta ndjek shembullin tonë dhe të veprojë njëjtë. Të prezantojë programin e tij, zotimet e tij dhe të na tregojë se si do t’i zbatojë ato. Unë shpresoj se ai do ta bëjë këtë. Deri më 31 janar. Sikurse duhet ta bëjmë secili prej nesh”, deklaroi ajo.

Ai tha se ftesën ia bën Vetëvendosjes, pasi VV-ja dhe PDK-ja priten të jenë fituese e zgjedhjeve.

“Sot i bëj thirrje Albin Kurtit që t’i kemi pesë debate. Debate serioze. Debate informuese. E ftoj zotëri Kurtin në pesë debate televizive. Një për shëndetësinë, ekonominë, arsimin, politikën e jashtme dhe sundimin e ligjit”, tha Hoxhaj.

PDK-ja, sipas tij, të shtunën do të bëjë publike listën e kandidatëve për deputetë.

Ai tha se nuk kanë vija të kuqe me asnjë subjekt politik, vija të trasha kemi me Serbinë.

“Në raport me Nismën kemi bashkëpunim po në këto zgjedhje garojmë të vetëm”, tha Hoxhaj.

Exit mobile version