UBT News

Hoxha: Pushteti është i kapur nga krimineli Radojiçiq

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha i ka përshëndetur deputetët e shumicës dhe përfaqësuesit e qeverisë me fjalën “zdravo”. Ajo deklaroi se është tronditës “nënshtrimi” ndaj Slavko Simiq dhe Radojiçiqit, që siç tha ajo, dëshmohet në audio-incizimet me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lilës. Sipas saj, pushteti është i kapur nga krimineli, Milan Radojiçiq.

Deputetja e opozitës gjatë seancës plenare tha se pushtetit nuk i ka mbetur kredibilitet për të folur për veri, sepse siç tha ajo, kryeministri Albin Kurti është njeriu që më së shumti ka moralizuar për patriotizëm.

Ajo tha se qytetarët janë shokuar nga ajo çfarë kanë dëgjuar në audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.

“Sa tronditës është nënshtrimi ndaj Slavko Simiq dhe Radoiçiqit për punën elementare të këtij kuvendi, po aq tronditës është edhe qarja e hallit me punëtorin e Radojiçiqit për çështje të rëndësishme të interesit tonë shtetëror. Për çështje të krenarisë tonë kombëtare, për çështjen e veteranëve të UÇK-së akuzoi para Slavkos njërin nga komandantët më të shquar të UÇK-së, zotëri Haradinaj, akuzoi PDK-në për të cilën në të njëjtën bisedë Radoiçiq u ankua se PDK ‘ja ka nxirë jetën’ dhe do ta luftojë atë me tërë qenien sa do të jetë gjallë. E fyu rëndë nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, e shpifi ndaj shefit të këtij grupi parlamentar, zotëri Tahiri. Tha që nuk ka folur për veteranët nëpër media, por doli që pjesën më të madhe të bisedës e kishte zhvilluar kundër tyre, kundër ligjit që do të ndihmonte fatin e tyre”, deklaroi Hoxha.

Në këtë situatë, Hoxha tha se nuk mjafton dorëheqja, e as shkarkimi.

Ajo shtoi se Kusari Lila u koordinua me Radojiçiqin për marrëveshjen për energjinë në veri, për çështjen e Trust-it dhe shumë të tjera.

“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës. Që ka urdhër arrest nga prokuroria dhe që shefja e grupit të LVV-së i garanton që do të flas me kryeministrin Kurti, me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që t’i lehtësohet barra e rëndë e akuzave kundër tij. Të konsiderohet heroi i Kosovës, Enver Zymberi si një numër i thjeshtë matematikor i vrarë në detyrë, e jo si një hero që ka luftuar pikërisht për vendosjen e sovranitetit, rendit dhe ligjit dhe zbatimit të tij dhe mbrojtjen e Kushtetutës, është jo vetëm e papranueshme por është e ultë dhe antikombëtare. Lirisht mund të them se lakmia për pushtet ju ka verbuar. ‘Zdravo Slavko’, ‘zdravo’ me buzëqeshje e nënqeshje me të, heshtja kur të thotë se ke folur pesë herë me Radojiçiqin dhe nëse dalin ato biseda do t’i thyhet koka juve e krejt LVV-së, janë vetëm disa nga pikat që ju i dëshmoni se jeni të kapur nga Radojiçiqi”, shtoi deputetja e PDK-së.

Hoxha shtoi se pushteti nuk ka ‘as sy e as fytyrë’ për të ju dalë përballë nënave gjakovare, të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së. Ajo tha se është urgjente që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Exit mobile version