Për këto sulme, Hoxha tha se janë orkestruar nga shteti serb, ku janë sulmuar policia e Kosovës, KFOR-i, gazetarët e qytetarët.
Ai përmendi edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, për të cilin tha se Policia e Kosovës arriti një sukses të madh në ballafaqim me grupin terrorist, për të cilin Hoxha tha se ishte trajnuar nga Qeveria e Serbisë.
“Situata e sigurisë së Kosovës në përgjithësi për gjatë vitit 2023 ka qenë e qetë, përveç në veri të vendi ku rendi dhe siguria ka qenë e cenuar dhe e brishtë nga sulmet e grupeve kriminale, terroriste në atë pjesë të cilat kanë qenë të motivuara dhe orkestruara nga Qeveria e Serbisë. Duke u ndalë në këtë konstatim po nxjerrim disa prej sulmeve dhe rasteve konkrete prej të cilave po nxjerrim këtë konkludim. Janë protestat dhe sulmet e dhunshme të strukturave kriminale që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët. Ka disa sulme të kryera gjatë këtij viti nga shteti serb, që na kanë quar deri në këtë konkludim. Protestat, sulmi ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve, qytetarëve, kidnapimi i policëve nga strukturat e policisë serbe me 29 maj. Pastaj sulmi terrorist më 24 shtator në fshatin Banjskë. Të gjithë e dimë betejën e Banjskës dhe suksesin e Policisë së Kosovës në këtë ballafaqim me grupin terrorist i cili ka qenë i trajnuar nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në veri ka pasur edhe djegie të automjeteve e sulme ndaj qytetarëve që tentonin të regjiistronin veturat e tyre në targa RKS.
“Një ndër shkaqet tjera që kanë cenuar sigurinë në pjesën veriore ka qenë edhe sulmet dhe kërcënimet, dhe sidomos djegia e automjeteve të qytetarëve që tentonin të regjistron këto automjete me tabelat RKS”, tha ai.
Ai përmendi edhe hetimet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, duke thënë se Policia e Kosovës ka shtuar dinamikën e punës në këtë fushë.
“Një fushë që i kemi dhënë rëndësi të madhe sivjet është hetimi i krimeve të luftës, duke e ditur që dëshmitarët mund të vdesin. Kemi munduar të shtojmë dinamikën e hetimeve në këto krime. Kemi 14 raste të ngritura. Janë arrestuar 12 të dyshuar, janë ngritur 22 kallëzime penale,149 persona janë të dyshuar, si dhe 4 raste janë në hetim preliminar”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka përmendur edhe operacionet policore për hetimin e zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarje të parave dhe falsifikim te dokumenteve.