Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së.
Sipas deputetes së kësaj partie, Eliza Hoxha, anëtarët e këtij bordi mbajnë përgjegjësinë kryesore për “nënshtrimin e RTK-së ndaj partisë në pushtet”.
Në seancë plenare, ajo ka shpalosur propozimin e gjashtë deputetëve të PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
“Përveç shkeljeve në këtë skandal televiziv, e për të cilin mund të angazhohet prokuroria kompetente konsiderojmë se duhet marrë masat për shkarkimin individual të secilit anëtar të bordit të RTK-së, pasi të njëjtit dështuan për ta mbrojtur RTK-në dhe standardet e kredibilitetin e gazetarisë”, deklaroi ajo.
Edhe për procesin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hoxha konsideron se është i jashtëligjshëm, sepse siç tha ajo, ka kaluar vetëm me gjashtë vota.
“Kujt i shërben RTK-ja sot dhe a është kjo RTK-ja që Kuvendi i Kosovës si themeltar i saj e dëshiron. Këto janë dy pyetje thelbësore që besoj që do të duhej të marrin përgjigje nga prizma të ndryshme për brengën që sot do ta trajtojmë brenda kësaj seance. Arroganca e numrave në këtë Kuvend, mendjet paranojake dhe njerëzit pa ide, vizion dhe pasion për RTK që kanë marrë mandat si bord në këtë Kuvend, na i shpërfaqin në fakt idenë e vërtetë se si Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron Radio Televizionin e Kosovës. Përgjatë këtij mandati kemi qenë dëshmitar të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë dhe të shumicës parlamentare për të cenuar lirinë e medias dhe fjalës së lirë. Dhe kjo është bërë në forma të ndryshme”, deklaroi Hoxha.
Tutje, Hoxha tha se “RTK nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të saj”.
“Këto përpjekje në shumë raste edhe kanë marrë formën e mendimeve nga institucione të dirigjuara dhe menaxhuara nga njerëz që fshihen nën kapela dhe që në hije dirigjojnë institucionet përfshirë edhe RTK-në. Vendimet dhe veprimet e këtilla kundër mediave dhe fjalës së lirë janë ngritur jo vetëm në nivele shqetësuese, por të patolerueshme edhe në RTK, duke e përdorur këtë të fundit si transmetues publik për të trilluar shpifje të pavërteta për mediat e tjera të lira e të pavarura në vendin tonë. RTK dështoi të ju qëndrojë besnik parimeve themelore të gazetarisë dhe të ligjshmërisë për të verifikuara faktet dhe për të cituar burime të besueshme të lajmeve që i transmeton. Në këtë mënyrë, lajmet e rreme në RTK të cilat citonin po ashtu një medium boshnjak, artikulli i cili edhe mund të jetë shkruar në zyrat e LVV-së në Prishtinë, përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve dhe këtyre mediumeve nga njëra anë por edhe shpërfaqin në anën tjetër fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirisë”, shtoi Hoxha në seancë plenare.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian flet për regres dhe për ndikim politik jo vetëm në fushën e medias por edhe në sektore të tjera.