Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se një pjesë e madhe e nxënësve ende nuk i kanë siguruar tekstet shkollore. Sipas saj, kostoja e planifikuar për tekste shkollore është 20 milionë euro nga pesë milionë sa ishte dikur.
Për katër vjet mandat të qeverisë aktuale, Hoxha tha se viti i ri shkollor asnjëherë nuk ka nisur me normalitet.
“Edhe këtë vit sikur vitin që shkoi, dështimi për të siguruar mjete apo tekste shkollore për mbi 250 mijë nxënës u përsërit, por këtë vit me dashje dhe me plot vetëdije. Sot kur po flasim një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën ende nuk i ka tekstet shkollore në banka dhe në shtëpitë e tyre. Hiç më pak se 20 milionë euro është kostoja e planifikuar për tekste shkollore nga rreth pesë milionë sa ka qenë oferta zyrtare e ofruar fillimisht nga shtëpitë botuese. Pra, të blihen sipas procedurës ligjore dhe standardit mbi disavjeçar për ofrimin e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit pa dallim. Por sot qytetarët duhet ta dinë që kjo mënyrë e pabazë dhe e paligjshme e subvencionimit të teksteve shkollore vetëm sa ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe në këtë mënyrë edhe të librarive”, deklaroi ajo.
Hoxha i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.
“Kjo duhet të hetohet sa më parë edhe nga prokuroria kompetente sepse konsiderojmë që është në interes të publikut dhe të zbatimit të ligjit që të hetohen të gjitha rrethanat që kanë çuar ne zgjedhjen e kësaj alternative për subvencionimin e teksteve shkollore dhe e dyta të hetohen të gjitha pasojat financiare, administrative dhe ligjore që kanë rezultuar si pasojë e një vendimmarrje të tillë”, shtoi ajo.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vendosur që edhe këtë vit subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore do të mundësohet nga MASHTI sikur vitin e kaluar.