Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë sot se kryeministri Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve. Ajo është shprehur se në takimin e 2 majit në Bruksel, rrëfimi dhe dhimbja e tyre është përmbysur.
Në seancë plenare, Hoxha në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka deklaruar se Serbia nuk ka asnjë obligim juridik për reparacione ndaj të pagjeturve.
“Më 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, është baraz-vlerësuar. Kryeministri i Kosovës ka shpikuar një term të ri, i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konventën për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me dhunë, e që nuk njihet as si kategori juridike. Që i bie, për ta thjeshtësuar, asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka në kuptimin e reparacionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me kategorinë e të pagjeturve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Hoxha është zotuar se do të vazhdojë të jetë zëri i familjarëve të të pagjeturve, e cila edhe ka transmetuar audion e këngës së saj për të pagjeturit.
“Por, edhe sot duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit, i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ka qenë në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkimfalje herën e parë kur ulet në takim me Vuçiqin dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot besoj që ai do të duhej të ishte këtu dhe të kërkojë falje, ai personalisht ndaj nënave dhe familjarëve të të pagjeturve”, ka shtuar ajo.