Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ende nuk kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm me ndonjërën prej partive politike.
Madje, ajo tha se PDK-ja e ka për qëllim një përfaqësim të denjë në këto zgjedhje dhe se për këtë çështje vendos Kryesia e partisë.
“Ne nuk kemi asnjë koalicion për momentin dhe nuk kemi diskutuar për një gjë të tillë. Besoj në Kryesi do të vijnë çdo propozim që do të jetë, pa kaluar në Kryesi besoj që nuk merr jetë pastaj. Neve listën do ta plotësojmë me 110 deputet. Normalisht e rëndësishme është ajo se si do të jetë distribuimi hapësinor në bazë të komunave të Kosovës domethënë degëve që i ka të shtrira në Kosovë bazuar edhe në numrin e banorëve meqë Kosova është një zonë zgjedhore. Ne mund të propozojmë çka do, por ideja e Partisë Demokratike të Kosovës është që të kemi një përfaqësim të denjë nga të gjitha hapësirat komunale që PDK-ja faktikisht ka përfaqësim. Synimi i të gjithë ne është që të jemi të parët. Ne punojmë që të dalim të parët. Besoj që edhe të qenit në opozitë e ka ndihmuar PDK-në dhe qytetarin e Kosovës për të parë edhe punën që ka bërë Partia Demokratike e Kosovës në opozitë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, Kosova ka sistem elektoral që deri tani edhe ashtu si është i ndërtuar nuk ia mundëson një partie politike ta ketë mandatin e vetme dhe nuk duhet të ekzistojë një diskurs i egër si ka ekzistuar deri tani. Ajo i ka quajtur të vobekta qeveritë e kaluar, duke thënë se nuk kishin guxim që të merrnin vendime karshi sfidave ekonomike e pandemike.
“Vazhdoj me menduar që ka qenë parti e guximshme, vendimmarrëse edhe në momentet më kritike dhe në momente si këto që kemi kaluar në pandemi Qeveri të vobekta me pamundësi vendimesh dhe me një pako shumë të vogël ligjesh që kanë kaluar dhe me një qasje shumë të zbehtë karshi sfidave ekonomike dhe pandemike që kemi pasur mendoj se duhet të mendojmë për parti të cilat kanë vizion dhe ekzekutiv vendimmarrje. Ne garojmë për veten. Normal synojmë që listën ta kemi të përfaqësuar sa më mirë që të dalim të parët. Kosova ka sistem elektoral që deri tani dhe ashtu si është i ndërtuar unë nuk besoj që ia mundëson një partie politike ta ketë mandatin e vetme dhe besoj që nuk duhet të ekzistojë një diskurs i egër si ka ekzistuar deri tani dhe të krijojmë hapësira të cilat nuk krijojnë mundësi për dialogim dhe për ndërveprim midis partive politike”, shtoi ajo.