Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri, përkundër takimit të djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Megjithatë ai tha se de-eskalimi i situatës në veri duhet të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë, ambasadori amerikan para gazetarëve theksoi nevojën edhe të zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë.
Ndërkaq, shtoi se ShBA-të nuk mund të thonë më shumë se çka ka thënë KFOR-i për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës.
Ai është pyetur nga gazetarët edhe rreth publikimit të disa përgjimeve ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq i Listës Serbe, ndërsa përmendet edhe Milan Radojiçiq.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjithë palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-ve”, tha ai./KosovaPress