UBT News

Hovenier: ShBA-të krenare për partneritetin me FSK-në

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ambasadori Jeffrey, sot shprehu mirënjohje ndaj ekipit të FSK-së, që ka ndihmuar pas tërmetit në Turqi.

“Ekipi i FSK-së kreu operacione të suksesshme të ndihmës në Turqi dhe shpëtoi disa jetë. SHBA-të janë partner krenar i FSK-së”, shkroi Hovenier në Twitter.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer nga Turqia të hënën në mbrëmje, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 41.000 njerëz.

Në aeroport ata janë pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.

Kosova, duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije ka prezentuar me një personel prej 48 anëtarësh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që të nxjerrin të gjallë katër persona, të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit, janë nderuar me medalje, pak minuta pas kthimit të tyre në Kosovë.

Exit mobile version