Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke. Mirëpo, ai nënvizoi se aktualisht të dy palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e dala nga Brukseli dhe të marrin më seriozisht dialogun.
“Disa nga mesazhet e Shteteve të Bashkuara, pikërisht tani, si e shohim rrethanën në përpjekjen për të avancuar një marrëdhënie të normalizuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllimin përfundimtar njohjen reciproke. Ky mbetet qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i pastër dhe i thjeshtë. Nuk mendoj se më duhet të shpenzoj shumë kohë për të paraqitur disa nga shqetësimet që kemi me zgjedhjet e politikave të bëra në Beograd, dhe me zgjedhjet e politikave të bëra në Prishtinë, ato janë reale, ne i dimë. Ne presim që të dyja qeveritë të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet që kanë marrë në dialog, presim që ta marrin seriozisht dialogun”, theksoi Hovenier.
Ambasadori amerikan, në fjalimin e tij në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, tha se duhet përkushtim i ri dhe më energjik në dialog nga Kosova dhe Serbia.
“Po të mos kishim dialogun që e kemi aktualisht, çfarë do të shpiknim? Do të kishim, Kosovën, Serbinë dhe do të kishim lehtësuesin BE-në pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në Evropë, e do të kishim përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve tjerë. Pra, do të nisnim nga fillimi të njëjtën gjë. Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, shtoi ai.
Sipas tij, po të varej nga SHBA-ja, Kosova do të ishte anëtare në organizatat euroatlantike e Serbia do të vinte afër pranimit të realitetit. Ai ka shtoi se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në rrugën euroatlantike, por duhet angazhimi serioz në proces.
“Një nga gjërat që më duket befasuese në bisedat e mia të ndryshme, me akterë të ndryshëm këtu në Kosovë, është ky supozim i padeklaruar se ekziston një rrugë tjetër përveç dialogut. A është ky sugjerim që nëse amerikanët apo gjermanët ose zgjedhni njerëzit tuaj të preferuar thjesht duke kërcitur gishtat, duke tundur një shkop magjik…, këto probleme do të largoheshin dhe Kosova do të bëhej menjëherë anëtare e plotë e NATO-s dhe anëtare e plotë e BE-së dhe gjithë të tjerat. E keni dëgjuar, bota nuk funksionon në këtë mënyrë, dhe unë duhet të jem i qartë për këtë. Pra, nëse do të ishte vetëm në dorën e Shteteve të Bashkuara, nëse ne do të ishim Perandori Romake në kulmin e fuqisë së saj dhe të gjitha vendet do të përkuleshin para nesh dhe do të bënin pikërisht atë që ne themi, gjë që nuk është rasti në botë sot, nëse shikoni anembanë globit, ne ende besojmë se ushtrojmë ndikim të rëndësishëm në mbarë planetin, por nuk jemi vetëm. Ne do ta shihnim Kosovën të integruar më plotësisht tani në institucionet evropiane dhe euroatlantike, Serbia do të ishte përballur më mirë me realitetin e një fqinji paqësor, sovran, të pavarur, multietnik dhe demokratik. Kjo është ajo që ne duam. Por nuk shoh se si bëhesh anëtar i BE-së pa pëlqimin e BE-së. Dhe kjo do të thotë pajtim nga shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Siç e dini të gjithë, disa nga ato shtete ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, të pavarur, demokratike, multi-etike siç e kemi pranuar ne. Ju duhet t’i bindni ata. Ne duam të ndihmojmë, kjo do të thotë, duke punuar në procesin e krijuar nga vetë institucionet”, theksoi Hovenier.