Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Në deklaratën e miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive përmendet Kosova si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.
“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, tha Hovenier
Ai theksoi se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se SHBA-ja do të qëndrojë prapa këtij qëndrimi “me krenari”.
Gjatë të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb të 8 qershorit u theksua që ai i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratë thuhet, mes tjerash, se serbët në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet t’i mbrojnë manastiret, kishat, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i dënuan edhe ato që i konsideruan si kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër përmendet edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve.
Hovenier i bëri komentet e tij gjatë konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që po mbahet më 10 qershor në Prishtinë, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në konferencë, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, i cili kishte udhëhequr Italinë gjatë viteve 1998-2000, tha se Kosovës i nevojitet një marrëveshje me Serbinë.
“Kosova duhet të jetë e qëndrueshme në kërkesat për të drejtat e saj, por të mos bjerë në kurthin e nacionalizmit. Mirëpo, të mbetet e hapur ndaj diskutimit për një marrëveshje”, tha ai.
D’Alema ishte kryeministër i Italisë në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.
Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.