Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë për të cilën dy vendet duhet të angazhohen dhe ta shtyjnë agjendën përpara. Hovenier shtoi se përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve.
Këto deklarime Hovenier i bëri gjatë samitit “The Western Balkans 2024”, ku sipas tij po synohet që të mbështeten dhe përfshihen vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
“Prioriteti jonë numër një për Ballkanin Perëndimor është i bazuar në përpjekjet tona për të mbështetur integrimin evropian sepse ne synojmë të mbështesim dhe të përfshijmë vendet e Ballkanit Perëndimor plotësisht në strukturat evropiane sepse e ardhmja e rajonit është në BE dhe si pjesë e komunitetit transatlantik veçanërisht NATO-s për ato shtete që duan të jenë pjesë e saj”, tha Hovenier.
Hovenier ka përmendur edhe rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve që kanë arritur Kosova e Serbia.
“Duhet të angazhohemi bashkërisht edhe kolektivisht për të gjitha këto sfida politike dhe veçanërisht për Kosovën me qenë se këtu punoj e jetoj. Kemi edhe një sfidë për pozicionimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kosova duhet së bashku me Serbinë ta shtyjnë përpara agjendën e tyre. Ka një varg zyrtarësh amerikan që kalojnë shumë kohë për nevojën për zbatimin e plotë nga Kosova e Serbia të obligimeve që i kanë marr përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja më lejoni të them se përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha Hovenier.
Kryeministri, Albin Kurti, gjatë këtij samiti ka përmendet se Kosova s’ka probleme me serbët lokal, por me Beogradin zyrtar që sipas tij nuk është distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe Putinit.