Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e vrasjes së tij në krye të detyrës në Banjskë. Hovenier ka bërë thirrje që autorët e sulmit terrorist të mbahen përgjegjës.
“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, ka shkruar ambasadori Hovenier në rrjetin social X.
Gjatw ditws kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.
Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.
Të pranishëm ishin edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ambasadori i Amerikës në Prishtinë, Jeffery Hovenier, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, djali i Bunjakut dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.