Netflix ka sjellë premierën e serialit të ri dramatik-historik “House of Guinness”, krijuar nga Steven Knight, autori i “Peaky Blinders”. Që në ditët e para pas lansimit, ai u shndërrua në një nga më të shikuarit.
Historia ndjek katër fëmijët e familjes Guinness, të cilëve jeta u ndryshon pas vdekjes së papritur të babait të tyre, Sir Benjamin Lee Guinness, figura që qëndronte pas ngritjes së perandorisë së famshme të birrës.
Seriali vendoset në vitet 1860 dhe i rikthen shikuesit në atmosferën e Dublinit të asaj kohe, mes rrugicave të fshehta dhe vilave aristokratike, si dhe brenda fabrikës së njohur botërisht të birrës Guinness.
Ngjarja zhvillohet rreth testamentit të Sir Benjamin-it dhe ndikimit në fatin e katër fëmijëve: Arthur, Edward, Anna dhe Ben.
Përveç tyre, shfaqen edhe personazhe nga shtresa të ndryshme të qytetit, duke i dhënë historisë ngjyra dhe tension dramatik.
“House of Guinness” është krahasuar me “Peaky Blinders” për stilin e ngjashëm por dhe me “Succession”, pasi sjell rivalitetin dhe intrigat brenda një familjeje të fuqishme. Pas premierës më 25 shtator, seriali ka hyrë në listën e 10 më të shikuarve në Netflix, ndërsa në “Rotten Tomatoes” ka marrë vlerësime të larta me një rezultat prej 87% pozitiv.
Në kast marrin pjesë aktorë si James Norton, Anthony Boyle, Louis Partridge, Emily Fairn, Fionn O’Shea, Niamh McCormack, Seamus O’Hara, Jack Gleeson, Dervla Kirwan dhe Michael McElhatton.
Ky prodhim synon jo vetëm të sjellë në jetë historinë e një prej familjeve më të njohura irlandeze, por edhe ta shndërrojë në një rrëfim epik për pasionin, pushtetin dhe trashëgiminë. /A.Z/UBT News/