UBT News

Hoti: Turpi s’është i viktimave të dhunës seksuale, por i atyre që kanë kryer krimin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marrë pjesë në konferencën “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Shefi i Qeverisë deklaroi në konferencën për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, se shuma e ndarë për viktimat e dhunës seksuale nuk është e mjaftueshme.

“Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës, ka bërë në punë të madhe që nga fillimi i themelimit. Jemi të vetëdijshëm që shuma që është ndarë nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh vuajtjet e tyre, por është dëshmi që shteti i Kosovës ua njeh këto vuajtje dhe i respekton këto viktima. Procesi i njohjes dhe i verifikimit të statutit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është i vështirë duke marrë parasysh kohën që ka kaluar. Kemi nevojë si shoqëri të shërojmë këtë plagë duke u përballur me të”, deklaroi ai.

Kryeministri Hoti deklaroi se turpi nuk është i viktimave, por i atyre që kanë kryer krimin.

“Si shoqëri e kemi nevojë të shërojmë këto plagë dhe mos të harrojmë ato që kanë ndodhur. Të kemi kurajo t’i demaskojmë dhunuesit. Turpi nuk është i viktimave, por i atyre që kanë kryer krimin”, deklaroi ai.

Kryeministri Hoti thotë se viktimat e dhunës seksuale meritojnë mbrojtjen e plotë të familjes e shoqërisë./UBTNews

Exit mobile version