UBT News

Hoti tregon veprimet që nxjerrin Kosovën nga kurtha e Serbisë

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, sot ka rënditur disa veprime, që sipas tij e nxjerrin Kosovën nga kurtha e Serbisë.

Ai ka potencuar se duhet të hiqen barrikadat në bashkëpunim me KFOR-in, të kërkohet me ngulm nga BE dhe ShBA që të bëhet presion te Serbia, që të mos rrezikohen qytetarët, të ruhet paqja dhe të mos përmendet lufta dhe konfliktet.

“Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë: 1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë. 2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi. 3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut. 4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndryshe, mbrëmë është mbyllur pika kufitare në Merdarë. Policia sot ka bërë të ditur se bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdare” e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim. Policia ka ftuar qytetarët që tani për tani, të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim.

Exit mobile version