Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organizimi i zgjedhjeve në kohë pandemie do të jetë sfidë. Ai nuk bëri të ditur nëse edhe përsëri do të garojë për kryeministër të vendit, derisa shtoi se strukturat e LDK-së ende nuk kanë vendosur për emrat e kandidatëve.
Pasi vizitoi personelin mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, Hoti gjithashtu tha se buxheti 2021 do të votohet para shpërndarjes se Kuvendit.
Shefi i Qeverisë në detyrë tha se në ditët në vijim LDK do të vendosë për kandidatin me të cilin do t’i hyjë garës zgjedhore.
“Ne ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje më strukturat tona të partisë, besoj qe në ditët e ardhshme do të përmbyllet kjo çështje, shpresoj që edhe vendimi do të bëhet publik i Gjykatës Kushtetuese dhe mandej hyjmë në afate kushtetuese të cilat duhet t’i respektojmë”, tha Hoti.
Por sipas Hotit, vendimi për zgjedhjet e reja tashmë është i padiskutueshëm.
“Organizimi i zgjedhjeve në kohë pandemie vërtetë ka me qenë sfidë por tani ky është vendim që nuk diskutohet dhe ne duhet të bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të gjitha institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, do ta kenë mbështetjen e plotë edhe te qeverisë, edhe institucioneve tjera për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike”, tha ai.
E lidhur me buxhetin për vitin 2021, Hoti pret që ai të votohet para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. E për këtë tha se po konsultohen me të gjitha grupet parlamentare.
Shpresoj qe sot gjatë ditës, eventualisht nesër do ta dimë kur mund të mbahet seanca për të vetuar buxhetin sepse është tepër e rëndësishme, nuk mund të hyjmë në janar pa miratim të buxhetit, edhe për çështje të zgjedhjeve, por në veçanti për buxhetin që na duhet për fushën e shëndetësisë dhe buxheti për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.
Dy të më parë Gjykata Kushtetuese vendosi që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo-kushtetuese dhe konstatoi që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.