Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilët biseduan rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, si dhe për luftën kundër COVID-19.
Hoti edhe në këtë takim ka ritheksuar se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes dy vendeve.
“Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë, dhe theksova se ky proces duhet të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, i njoftova edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e cila ndodhi më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.Ambasadorët i njoftova edhe për masat që po ndërmarrim në luftën kundër pandemisë COVID-19, dhe vlerësova maksimalisht rolin e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Kosovës.”, shkroi Hoti në Facebook./UBTNews