Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në interpelancën lidhur me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion, deklaroi se kanë marrë përsipër një rikonstruktim të Task-forcës.
Hoti në Kuvend ka thënë se ky lloj ristrukturimi mundëson ndarjen e përgjegjësive për sundimin e ligjit.
“Ne duke u bazuar në dispozitat ligjore më 19 tetor me vendim të qeverisë kemi marrë një rikonstruktim të ri, që do të ndikojë në rritjen e performancës të organeve të sigurisë në luftimin e korrupsionit. Vendimi i Qeverisë mundëson ndarjen e përgjegjësive të institucioneve përkatëse që merren me sundimin e rendit dhe ligjit. Ky vendim ka të bëjë me zhvillimin e departamentit që është pjesë kryesore e strukturës së policisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin, i cili ka mandat dhe përgjegjësi specifike në luftimin e dukurive negative”, tha Hoti.