Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me kryetarët e Odave Ekonomike, në një konferencë për media deklaroi se kanë diskutuar rreth Ligjit për Rimëkëmbje dhe masat që janë në fuqi.
“Jemi duke punuar për një pako të re fiskale. Pika kryesore ka të bëjë me masat anti-Covid. Masat që janë në fuqi që janë miratuar më 11 nëntor dhe kanë prodhuar rezultat të kënaqshëm. Ditët e fundit vërehet një rënie e lehtë e rasteve dhe është parandaluar rritja eksponenciale”, tha mes tjerash Hoti.
Shefi i Qeverisë njoftoi se pas këtij takimit do të takohet me profesionistët shëndetësorë për t’i rishikuar masat e reja që duhen të merren siç tha ai para gjendjes së re të krijuar.
“Situata nuk pritet të përmirësohet sa i përket pandemisë në javët në vijim, ne duhet të përgatitemi gjithë skenarët që mund të ndodhin. Mora rekomandime nga Odat dhe Shoqatat për masat për mbrojtjen nga pandemia. Brenga më e madhe nga të gjithë është të rishikohet orari i kufizimit të lëvizjes. Pas këtij takimi do të takohemi me profesionistët shëndetësor për të diskutuar për gjendjen me pandeminë”, tha Hoti.
Shefi i Ekzekutivit deklaroi se masat e reja po diskutohen tash e katër ditë.
“Ka qe 3-4 ditë që jemi duke i diskutuar, sot e bëmë këtë diskutim dhe do të vazhdojmë edhe sonte, shpresojmë se deri të premten të përmbyllim këtë diskutim”, ka deklaruar ai./UBTNews