Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se s’ka asnjë pengesë buxhetore që të paguhen shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.
Hoti në seancën e jashtëzakonshme për policinë, kritikoi kabinetin qeveritar dhe deputetët e mazhorancës për bojkotin në Kuvend. Ai kërkoi që ekzekutivi të nis hapat konkret për ligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë.
“Pse nuk vijnë sot në seancë të thonë se kemi në plan t’i paguajmë shtesat e rrezikshmërisë në pagat e muajit nëntor ose muajit dhjetor, sigurimin shëndetësor jemi duke menduar me bërë në mënyrën më të mirë që nuk e prek koston buxhetore të shtetit. Po ashtu ligjin për pensionimin e parakohshëm duhet të mendojmë sepse nuk mundemi t’i largojmë policët prej pune apo zëvendësojmë. Krejt kjo do të kishte pasur një kuptim sikurse ata të ishin në seancë dhe t’i arsyetonin këto çështje që i ka ngritur opozita. Ndryshe s’ka si të kuptohet kjo formë e pengimit të jetës parlamentare në vend. Unë jam person që jam marrë me financat dhe buxhetin e shtetit. Nuk ka asnjë arsye buxhetore që arsyeton mos marrjen e vendimeve për të paguar shtesat e rrezikshmërisë ose për të nis me ligjin për pengim të parakohshëm. S’ka asnjë pengesë buxheti”, tha ai.