Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndonëse është kritikuar për ftesën bërë partive politike për të diskutuar për çështjen e presidentit, gjatë së martës sërish ka thënë se është duke bërë përpjekje për një gjë të tillë.
Madje sipas tij, disa parti kanë dhënë qëndrimet e tyre për zgjedhjen e presidentit. Hoti njoftoi se me ftesën për këtë takim është duke u marrë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Jemi duke bërë përpjekje për këtë çështje. Disa parti politike kanë dhënë pozicionin e tyre. Kryetari Mustafa po merret me këtë çështje dhe vetëm në tavolinë të partive politike parlamentare të gjendet zgjidhja. Të shohim nëse ka vullnet të tregojmë maturinë e nevojshme politike për të dalë nga kjo situatë”, deklaroi ai.
Po ashtu kryeministri tha se me rëndësi të mos bëhen përgjithësime për çështje specifike. Ndërkaq për arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës nga policia serbe, Hoti ka thënë se janë duke pritur informacionet zyrtare.
“Zyra jonë ndërlidhëse në Beograd është marrë për të kërkuar informata për qytetarët e Kosovës që gjoja në pjesën serbe u arrestuan. Besoj që shpejt do të kemi informata të detajuara”, shtoi ai.
Këto komente ai i bëri në një konferencë të përbashkët për medie me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, pas nënshkrimit të kontratave të para të përfituesve të Programit për Zhvillim Rural 2020-21.