Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur habinë e tij për, siç e ka quajtur ai, entuziazmin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) pas vendimit të Gjykatës Komerciale që legjitimon tregun e lirë të energjisë elektrike.
Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë, të martën vendosi në favor të ZRrE-së për kalimin në treg të hapur të energjisë për rreth një mijë e 300 bizneseve.
“Çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur, ku çmimi është disa herë më i shtrenjtë se çmimi që paguajnë tani?!”, ka shkruar Hoti të mërkurën në Facebook.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e Qeverisë për këtë çështje, duke thënë se situata është e papranueshme.
“Çfarë apatie e Qeverisë për këtë situatë të krijuar?! Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon”,është shprehur Hoti.