Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrave serbë, Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin. Hoti ka deklaruar se ata po shfaqin hapur mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
Hoti i ka quajtur këto deklarata skandaloze, që sipas tij, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm.
Kryeministri Hoti ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë lidhur me këto deklarata.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.”, shkroi Hoti mes tjerash në Facebook./UBTNews