Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lidhur me gjendjen financiare të familjeve në vend.
Hoti ka thënë se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit, derisa ka thënë se zgjidhja do të ishte indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku për aq sa ka qenë inflacioni, si dhe zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së.
Sipas të dhënave që u është refuruar Hoti, 43.4 përqind e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake, 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun, 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare dhe 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat.
“Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni. Por, thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet. E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë”, ka shkruar Hoti.