Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, ia ka dhënë të “mbrapshtën” vendit me këtë qasje ndaj partnerëve ndërkombëtar.
Hoti ka thënë se Kosova ka më shumë se një vit që është nën masa nga Bashkimi Evropian, ndërsa shqetësuese e sheh prezencën e KFOR-it mbi urën e Lumit Ibër.
“Vlerësimi im politik është që na ka dhënë të mbrapshtën me këtë qasje, në një situatë që këta e kanë marrë mandatin me partneritetin ndërkombëtar shumë të ngushta me një proces të dialogut të strukturuar për njohje reciproke me marrëveshje të Uashingtonit të nënshkruar me plane vjetore për integrim euroatlantik përmes planit kombëtarë për zbatim të MSA-së në bashkëpunime të ngushta me Shqipërinë më së pari dhe me aleatë kryesor sot jemi në situatën e bashkëpunimit të Kosovës me aleatët është në pikën më të ulët. Sot Kosova ka më shumë se një vit që është në masa nga Bashkimi Evropian, sot ajo që më shqetëson mua është formalizmi i prezencës të përhershme të KFOR-it në urën e Ibrit, ka qenë qasje e qeverive të kaluara edhe në Qeverinë kur kam qenë vet, që në bashkëpunim me aleatët hap pas hapi të shtrijmë sovranitetin e vendit në Veri në bashkëpunim me vendet e QUINT-it, me aleatët që janë garantues të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të krijojmë situatë në terren të pakthyeshme prapa”, shtuar ai.
Hoti ka theksuar se siguria në veri shtrihen duke ndërtuar partneritet të ngushta me aleatët tanë ndërkombëtarë duke zhvilluar dialogun më ta duke kryer veprime në Veri të koordinuar me aleatët, jo me Serbinë.
“Nuk ndihem mirë dhe nuk është shenjë e mirë nuk tregon për integrimin e atij vendit kur e shoh kryeministrin të rrethuar me polici duke vendosur gur themele në stacioneve policore, ato janë objekte shumë të nevojshme por ato duhet të vendosen bashkërisht duke ndërtuar një komunikim me komunitetin vendor edhe duke ftuar edhe komunitetin vendor në gjitha ngjarjet e tilla. Unë e kam parë gjithmonë një qasje besoj shumë të qartë sa i përket Veriut, dialogut dhe sigurisë atje, e kam pasur të qartë që dialogu edhe komunikimi, siguria në Veri shtrihen duke ndërtuar partneritet të ngushta me aleatët tanë ndërkombëtarë duke zhvilluar dialogun më ta duke kryer veprime në Veri të koordinuar me aleatët, jo me Serbinë, asnjëherë nuk kemi bërë ne dialog qeveritë e kaluara, asnjëherë nuk kemi dialogu me Serbinë, gjithmonë jemi dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtar për ndërmarrjen e masave të caktuara, kjo mua më shqetëson. Më shqetëson mungesa e koordinimit, mbështetjes nga ana e aleatëve për veprimin që e merr shteti i Kosovës”, ka theksuar Hoti.
Po ashtu ai shprehet shqetësim edhe për qasjen e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, sipas tij, ditë pas dite i sheh të mbushur me kacafytje me njëri tjetrin për çështje triviale.
“Jam i shqetësuar me qasjen e kryeministrit dhe presidentes karshi këtyre zhvillimeve, në vend që ata të flasin për zhvillim dhe për aleancë dhe partneritet, ditë pas dite i sheh të mbushur me kacafytje me njëri tjetrin për çështje triviale për qytetarët e Kosovës. Nuk ka dyshim që janë rrezikuar aleancat, ajo që është shqetësuese është rritja e rolit të KFOR-it në veri të vendit. Jemi munduar me vite të tëra të krijojmë një situatë kur Kosova nuk është vend me sfida të sigurisë, por është vend me sfida zhvillimore, të integrimit euroatlantike. Këta mashtrues e kanë kthyer situatën mbrapa dhe e kanë kthyer Kosovën në një vend që ka sfida të sigurisë sa i përket qasjes që kanë aleatë tanë ndaj nesh”, u shpreh ai.
Sipas Hotit, gabimi i madh është bërë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie është heqja dorë nga dialogu për njohje duke krijuar situata ku i shtyn aleatët të mos mbështesin më dialogun për njohje.
“Gabimi i madh që është bërë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie është heqja dorë nga dialogu për njohje duke ngrit teza të kota triviale, duke krijuar situata ku i shtyn aleatët të mos mbështesin më dialogun për njohje por të kërkohet nga Kosova të kryen aranzhimet të tjera siç ishte marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Sikur ne të qëndronim në kornizën e atij dialogu sa do të zgjaste ai dialog, ajo formë e dialogut e kishte mbështetjen e aleatëve, besoj që aty duhet të kthehemi prapë, tek dialogu për njohje reciproke sepse si qasje të tillë ka pasur mbështetje, kemi pasur disa letra të presidentëve amerikan edhe këtij ekzistues edhe atij paraprak dhe liderëve kryesor të BE-së, ky e ftojnë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për njohje, sot kemi rezultate krejt tjetër, ku i dëgjojmë deklarimet, edhe të administratës amerikane edhe të liderëve kryesor Evropian në kërkesën ndaj Kosovës për formim të asociacionit. Nga dialogu për njohje, kërkesa për përmbyllje për njohje nga kërkesa për formim të dialogut dhe asgjë tjetër, ky është degradimi që ka ndodhur Kosovës në këto vite”, potencoi ish-kryeministri./EO/