Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në ceremoninë e dhënies së akt emërimeve për bursistët nga Skema e Profesionistëve të rinj (YCS), projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e vlerësoi si një ngjarje të veçantë dhe të mirë.
Kryeministri Hoti tha se këta bursistë janë ndër vajzat dhe djemtë më të mirë, të cilët me arsimimin dhe profesionalizmin e tyre do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së punës në institucione dhe në zhvillim të shoqërisë drejt proceseve integruese.
“E keni mbështetjen time të plotë, por edhe të ministrave dhe bartëseve të institucioneve ku ju do të angazhoheni, në mënyrë që t’u ofrohet hapësira e nevojshme që të jepni kontributin tuaj, dhe po ashtu mundësinë për avancim në karrierë mbi baza të profesionalizimit, meritës dhe kualitetit që ofroni”, theksoi shefi i Qeverisë.
Hoti falënderoi Bashkimin Evropian për këtë projekt dhe theksoi se ajo mbetet organizata me ndikimin më të madh ekonomik, por edhe të reformave në Kosovë, duke shtuar se vendet e BE-së janë partneri kryesor tregtar.
“BE-ja është organizata ku ne kemi ambicie politike për t’u integruar, por edhe financuesi më i madh i mbështetjes që marrim për të ndërtuar institucionet tona”, deklaroi ai.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe Shefi i Zyrës së BE/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog./UBTNews