Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se vendimi qeveritar për të ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të ekzekutivit.
Sipas tij, sado e dobishme mund të duket nuk e zgjidh problemin e çmimeve e as nuk përfshin bujqit dhe të papunët.
“Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, tha ai.
Sipas tij, duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat tha se i kanë propozuar kur filloi të shfaqet kriza.
Ai ka përmendur pesë masa, ndër to edhe tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.
“1. Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë. 2. Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike. 3. Duhet të rriten subvencionet në bujqësi. 4. Duhet të rritet paga minimale. 5. Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”, shtoi Hoti.